Basorelievet që shembën ministrinë e Kulturës

KOMENT/

“Jemi përballë fasadës në të cilën kemi pikërisht pjesën e konsideruar si monument kulture nga vendimi i fundit i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve (KKR). E reja është që në rezultatin e fundit që do të vijë të prezantohet para KKR-së javën që vjen, fasada do të ruhet siç është, jo vetëm do të ruhet por do të jetë pamja ballore e stadiumit dhe do të jetë edhe funksionale për të shërbyer për të njëjtin funksion hyrës siç ka shërbyer gjithë këto vite. Ne kemi ruajtur këtë projekt, e konservojmë të plotë dhe e risjellim në projektin e ri kështu siç është”, deklaroi ministrja e Kultures, Mirela Kumbaro, me datë 22 qershor 2016, gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e stadiumit “Arena Kombëtare”.

Ministrja e kulturës tha se gjithçka do të çmontohej për tu montuar përsëri dhe këtë e përmendi ditën e sotme, kur shkruajti në rrjetin social Facebook, “Asgjë jashtë parashikimit, asgjë që nuk kemi thënë”.

Por ministrja Kumbaro në asnjë fjalë të saj nuk përmendi se bazorelievet nuk do të jenë pjesë e projektit të ri, apo se do të (shkatërroheshin) çmontoheshin pa pikën e kujdesit.

Dy basorelievet e vendosura në periudhën e realizmit socialist, u  çmontuan në një mënyrë të çuditshme, ku krisjet nga goditja e vinçit dhe puntorëve që i kishin “hipur sipër” dukeshin gjithandej.

Meraku është se u ndërhy tek një objekt që kishte statusin monument kulture i kategorisë së dytë  dhe është pjesë e ansamblit monumental të Sheshit Nënë Tereza.

Në Durrës, kur u rilind sheshi qendror i qytetit dhe u shkul shatërvani 85 vjeçar, pjesë e memories kolektive, bashkia ja hodhi paq se shatërvani nuk kishte statusin e monumentit të kulturës, por tek stadiumi topi ka mbetur në rrjetën e statusit të monumentit të kulturës.

Megjithatë i pari i qeverisë dhe e para e kulturës nuk e kanë problem që ta çajnë rrjetën e statusit ligjor të monumenteve të kulturës.

Në rrjedhën e këtyre viteve ministrat e kulturës në fillim janë shfaqur shpresëplotë dhe vizionarë për atë çfarë do të bënin përgjatë detyrës së tyre, por pas disa muajsh ka rezultuar se janë “thyer” përballë presionit të lobeve ekonomiko-politike.

Ministrja Kumbaro së bashku me ministrinë që drejton duket se nuk ishin aq të “fortë” sa grupet ekonomiko-politike, për të vënë interesat kombëtar dhe historik, përpara atyre ekonomik.

Po ashtu në qendër të Tiranës u dha leja për të ndërtuar një objekt me formë të çuditshme, mbi tyrben e atij që ishte administratori i pare i Tiranës, Kapllan Pasha, dhe që aktualisht gëzon statusin e monumentit të kulturës.

Me rreth të kuq, tyrbja e Kapllan Pashës/ Burimi: Interneti

Stadiumi Qemal Stafa do të rindërtohet dhe do të quhet “Arena Kombëtare”, me vlerë ndërtimi rreth 50 milion euro dhe si shumë pasuri publike është dhënë me koncension.

Në fasadën e hyrjes së stadiumit qëndronin dy basorelieve, që gëzonin statusin e monumentit të kulturës, se fundja ishin shenjë e një sistemi që e drejtoi vendin për afo 50 vite, dhe përcjellin  më shumë mesazh se bunkieri i ndërtuar pranë ministrisë së Brendshme.

Kryeministri që e mbrojti bunkerin, shkruajti në Facebook, “Ato basorelieve që turpëronin edhe realizmin socialist, e kanë kryer misionin e tyre të shëmtimit e nuk hyjnë askund, si vlerë e trashëgimisë kulturore”. Thënë kjo nga një piktor në profesion dhe jo ekspert i trashëgimisë kulturore.

Heqja dhe dëmtimi i basorelieveve u “dënua” nga një pjesë e ekspertëve dhe njohësve të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.

Heqja e dy basorelieve që qëndronin në hyrje të stadiumit “Qemal Stafa”

“Sa i takon deklaratës (së kryeministrit), po ju them se ato nuk janë të shëmtuara dhe pasqyrojnë një kohë të caktuar dhe pikërisht për këtë (se pasqyrojnë atë kohë) ia vlen të ruhen. Po të ishte për të shkatërruar veprat e realizmit socialist, le të shkatërrohen edhe ato që ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve, bashkë me fasadën e Kryeministrisë”, deklaroi për “Gazetën shqiptare” arkeologu dhe krijuesi letrar, Moikom Zeqo.

Përpara se kryeministri dhe ministrja e kulturës t’i referohen një operacioni të kryer në bashkëpunim me UNESCO-n në Egjipt, për zhvendosjen e tempullit Abu Simbel mbi lumin Nil, bëjnë mirë të kujtohen se ekziston trashëgimi kulturore në Shqipëri dhe të japin urdhër për zhvendosjen e lokalit që i ka hipur në kurriz murit të klasë së Tiranës dhe lokaleve që i kanë futur në “tokën” e tyre muret e kalasë së Durrësit.

Ministrja Kumbaro njoftoi në mars të vitit 2016 se financat publike nuk mjaftojnë për t’i mirëmbajtur monumentet e kulturës dhe duhet krijuar skema PPP, partneritet publik-privat, që ashtu siç ndodhi me stadiumin “Qemal Stafa”, duket se nuk do të jetë tjetër vetëm se përdhosje e monumenteve të kulturës për përfitime politiko-ekonomike.