Drejtori i DRKK Durrës jep detaje mbi gjetjet arkeologjike tek “Veliera”

Gjatë zbatimit të projektit për ndërtimin e sheshit të ri “Veliera”, në qytetin e Durrësit, shumë pranë themeleve që janë hapur, dolën në dritë gjetje arkeologjike.

Pas kësaj, arkeologët urdhëruan ndalimin e punimeve në këtë zonë dhe nisën punën për zbulimin dhe dokumentimin e plotë të gjetjeve.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës (DRKK), Ledion Lako, pyetur nga blog-u Amfora.al, tha se ka një kontratë të nënshkruar midis bashkisë Durrës, Institutit të Arkeologjisë dhe Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik (ASHA), si rrjedhojë e së cilës punimet për ndërtimin e “Velierës” po monitorohen nga arkeologët.

“Dyshohet se kemi të bëjmë me një banesë të periudhës osmane”, u shpreh Lako, duke shtuar se zbulimi po dokumentohet dhe dosja do t’i dërgohet Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë (KKA), e cila pas krijimit të një komisioni vlerësues, do të vendos se si do të veprohet me këto gjetje.

Zbulimi ka ngjallur interes për qytetarët durrsakë, të cilët i vizitojnë këto gjetje përgjatë gjithë ditës. Ndërkohë në rrjetin social Facebook, qarkullojnë foto të zbulimeve, ku qytetarët i shoqërojnë me komente ku shprehin shqetësim mbi fatin e këtyre zbulimeve.

Të premten e kaluar, qytetarë dhe pjesëtar të shoqërisë civile, protestuan kundër këtij projekti, që sipas tyre dëmton arkeologjinë e qytetit.

Më herët Reporter.al, bëri me dije se dy muaj pasi projekti “Veliera” nisi nga zbatimi, bashkia e Durrësit nënshkroi një kontratë për monitorimin e punimeve nga Instituti i Arkeologjisë dhe Agjencia e Shpëtimit Arkeologjik, ndërkohë që shumica e punimeve nëntokësore për projektin kishin përfunduar.

Zbatimi i projektit për ndërtimin e sheshit “Veliera”, do të kushtojë rreth 6 milion dollar dhe tenda e velierës parashikohet të jetë rreth 60 metra e gjatë dhe 40 metra e gjerë, dhe mbështetet vetëm në katër pikat kulmore të përbëra nga po aq shufra të stabilizuar në inoks çelik, si direku i një anijeje me vela, nga katër kavot të cilat të kujtojnë tamam litarët e përdorur në anijet me vela.