Home Monumentet e Kulturës Dritëhijet e rivitalizimit të sheshit “Liria” dhe shporrja e shatërvanit 85-vjeçar
Dritëhijet e rivitalizimit të sheshit “Liria” dhe shporrja e shatërvanit 85-vjeçar

Dritëhijet e rivitalizimit të sheshit “Liria” dhe shporrja e shatërvanit 85-vjeçar

0
0

HULUMTIM/

Përpara një viti përfundoi faza e dytë e projektit për rehabilitimin e sheshit qëndror në qytetin e Durrësit, që u servir si një nga qendrat urbane të rilindura.

Në fakt, në vitin 2008 bashkia e Durrësit ideoi projektin për “Rivitalizimin e Sheshit Iiria të qytetit të Durrësit” dhe hapi një konkurs ndërkombëtar me vlerën 5 milion euro.

Faza e parë e projektit përfundoi në vitin 2011 dhe sipas bashkisë Durrës në përgjigjen për Ishull.com, ajo kushtoi rreth 1 miliard lekë, punime të kryera nga firma “Gjikuria”. Duke ndërtuar shkallaret që lidhen me xhaminë e qytetit si dhe galerinë e arteve, por nga mungesa e fondeve punimet u ndërprenë.

Ndërsa faza e dytë e projektit, e realizuar në vitin 2015, sipas bashkisë ka kushtuar rreth 1 miliard e gjysmë lekë, punime të kryera nga firma “Everest”. Në këtë fazë u kryen punime në sheshin që fillon përpara bashkisë së qytetit, duke vazhduar deri përpara teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Projekti ka edhe një fazë të tretë, e cila nuk është realizuar dhe rreth saj nuk është bërë asnjë e dhënë publike. Kjo paraqitet në hartën e mëposhtme të projektit, vijëzuar me të kuqe.

Ajo që e bëri temë dite qytetin e Durrësit në fillimin e vitit 2015, ishte shtërvani i vjetër që ngrihej në qendër të qytetit. Ai u kthye në mollë sherri midis bashkisë dhe shoqërisë civile, e më vonë Partisë Demokratike, të cilët kundërshtonin heqjen nga sheshi të shatërvanit 85-vjeçar.

Historia e shatërvanit

Shatërvani që ngrihej në sheshin “Liria”, ishte i rrethuar nga një lulishte në stilin neoklasik. Ai i takon viteve 1930 dhe së bashku me sheshin është projektuar nga arkitekti dhe inxhinieri  i shquar shqiptar, Kristo Sotiri, në kohën e monarkisë.

Për më tepër, ky shatërvan ishte më i vjetri që kishte mbetur në Shqipëri, nga ndërtimet e kësaj periudhe.

Shatërvani bënte pjesë tek memoria historike e qytetit dhe çdo durrsak, prej të paktën 3-4 brezash, ka lindur e është rritur duke fiksuar në kujtesën e vet atë shesh të Durrësit.

Projekti që u shpall fitues për rivitalizimin e sheshit

36 studiot konkuruese paraqitën përpara një jurie ndërkombëtare të ngritur nga bashkia projektet e tyre, ku u përzgjodhën për në fazën finale 5 prej tyre, dhe fitues u shpall projekti italian “Folding”, i studios romane “Michele Cro”, që ishte i vetmi projekt që nuk e përfshinte shatërvanin ekzistues.

Projekt për të cilin sipas publikimeve në media, ajo u pagua rreth 200 mijë euro.

Përse u përzgjodh projekti që nuk e përfshinte shatërvanin ekzistues?!

“Asnjë nga projektet konkurrues nuk e parashikonte shatërvanin ekzistues, por parashikonte shatërvane të vendosur në shesh, në funksion të ndërtimit të ri”, shkruhet në përgjigjen e bashkisë Durrës, për Ishull.com

Pas gjetjes dhe analizimit të materialit që i përmblidhte projektet që u përzgjodhën në fazën finale, na rezulton e kundërta e asaj që thotë bashkia.

Megjithëse nga bashkia nuk ishin përcaktuar kushte për ruajtjen dhe përshtatjen e shatërvanit, 4 prej studiove, e kishin marrë në konsideratë shatërvanin dhe e kishin përfshirë në projekt, ashtu siç paraqitet në foto-galerinë e mëposhtme.

Madje në projektin e paraqitur nga një prej studiove, shkruhej; “Shatërvani është një objekt i dashur për të gjithë qytetarët e Durrësit, prandaj ai duhet vlerësuar dhe ruajtur”.

Cilin projekt votoi publiku?

Gazeta “Metropol”, shkruante në numrin e saj të 2 shkurtit 2009, se “…në votimin që është bërë në një kuti të veçantë për të marrë mendimin e publikut, “Sun Dial” e studios 3W Architecture Limited, e Britanisë së Madhe, është cilësuar si më e suksesshme, duke marrë numrin dërrmues të votave”. Përveçse kjo studio nuk e kishtë hequr apo spostuar shatërvanin nga sheshi, projekti i tyre parashikonte edhe,”…ndërtimin e orës solare më të gjatë në botë, e cila mendohet se do të ishte në një atraksion turistik për qytetin bregdetar të Durrësit, pasi do të ngrihej mbi një kullë çeliku duke kapur lartësinë 70 metër e gjatë”.

Kundërshtimi i shoqërisë civile dhe Partisë Demokratike

Që pas kalimit të viteve të tranzicionit, qyteti i Durrësit nuk kishte parë më protesta, por ishte ky simbol i memories kolektive, shatërvani, që për mbi tetë ditë mblodhi para tij qytetarët që protestuan, duke moslejuar heqjen e tij nga sheshi dhe duke i drejtuar apel bashkisë për të mos e larguar nga aty.

Në ditët në vijim protestës ju bashkuan edhe përfaqësues e mbështetës të Partisë Demokratike, të cilët e kundërshtuan edhe në Këshillin Bashkiak vendimin për largimin e shatërvanit nga sheshi qëndror.

Reagimit në rrjetet sociale në atë kohë ju bashkua edhe Artan Lame, i cili publikoi në faqen e tij, në Facebook, një seri fotografish historike të shatërvanit.

Për moslargimin e shatërvanit, u mblodhën rreth 5000 firma qytetarësh, por të cilat nuk u morën parasysh nga bashkia Durrës.

A ka pasur konflikt interesi shpallja e fituesit?!

Gazeta “Albania”,  shkruante në shkurt të vitit 2009 se konkursi për projektin mbi qendrën “Iiria” të qytetit të Durrësit ka ngritur dyshime te disa konkurrentë pjesëmarrës në të, pasi ata kanë vërejtur se ndryshe nga sa parashikonin rregullat e konkursit, ka pasur konflikt interesi mes anëtarëve të jurisë dhe disa subjekteve konkurruese.

Fituese e konkursit u shpall i studios së arkitekturës “Mikele Kro”, nga Roma. Kjo studio drejtohet nga zoti Mikele Kro.

Nga ana tjetër, bashkia e Durrësit shpalli që në fillim se do të ishte Instituti Italian i Arkitekturës (INARK), ai që do të supervizonte dhe do të jepte garanci.

Gazeta “Albania” dispononte dy letërkëmbime elektronike mes dy konkurrentëve të tjerë pjesëmarrës në garë dhe nënkryetarit të Bashkisë, Adrian Çela (përgjegjës i konkursit). Çela refuzoi kategorikisht mundësinë e ekzistencës së një konflikti interesi, duke i konsideruar edhe letërkëmbimet mes tij dhe dy konkurrentëve të pakënaqur si jodomethënëse.

Presidenti studios italiane “Pinjati”, zoti Pinjati, sipas gazetës “Albania” ndër të tjera shkruante në këtë e-mail:

“Për fat të keq nuk mund të mos mendoj se ky konkurs përfundoi me një hije dyshimi. Edhe pse e dija që në fillim, dje, nëpërmjet internetit, konfirmova se firma fituese ‘Mikele Kro’ kishte bashkëpunuar ndër vite në konkurse projektimi me Luka Zevin (përfaqësuesin e INARK-ut, supervizues i jurisë). Theksoj se Mikele (presidenti i firmës fituese) ngelet një person shumë serioz dhe i besueshëm, por ja që ngelet ky dyshim që s’mund të neglizhohet kollaj. Si arkitekt italian më vjen shumë keq që ne eksportuam edhe në Durrës nivelin tonë të ulët të menaxhimit të konkurseve, sepse ju e dini se në Itali shpeshherë anëtarët e jurive janë të lidhur në shumë mënyra me konkurrentët”.

Në këtë kontekst e ka shprehur shqetësimin e saj edhe studioja konkurruese angleze “3W”, projekti i së cilës u rendit në vendin e dytë.

A ka pasur shkelje ligjore zbatimi i projektit?

Në Raportin Përfundimtar të Auditimit, të kryer në Bashkinë Durrës nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për periudhën e veprimtarisë 1 janar 2013, deri më 31 dhjetor 2014, konstatohet dhe rekomandohet;

Gjetje: Për 4 prokurime me vlerë mbi 100 milion lekë (të reja) secili, për objektet…“Rikualifikim i sheshit “Iliria”, (sheshi “Liria” faza II), nuk ka kryer oponencë teknike, në kundërshtim me ligjin nr. 8402, datë 10.09.1998, i ndryshuar, neni 6;

A është zbatuar i plotë projekti?

Sot në sheshin “Liria” kemi të pranishëm vetëm palma, ndryshe nga maketi i projektit që parashikonte disa lloje pemësh e bimësh, si dhe disa lloje pllakash e gurësh për shtrim.

Për “të kënaqur ata që u mërzitën nga heqja e shatërvanit”, nga aty ku ngrihej ai, e deri tek shkallët e teatrit “Aleksandër Moisiu”, me një gjatësi 230 metër linear, u shtua një konstruksion inoksi. Ky investim kushtoi rreth 140 milion lekë dhe u mbulua nga të ardhurat e bashkisë.

Pak muaj pas inagurimit të sheshit, “Amfora.al” evidentoi se një pjesë e pllakave prej mermeri ishin thyer, si dhe kufizueset anësore ishin dëmtuar nga automjetet.

Ndërsa pusi antik që u zbulua gjatë punimeve, me diametër 80 cm dhe rreth 20 metra i thellë, si për çudi u ruajt dhe mbi të u vendos një mbulesë prej xhami, por që nuk është funksionale, pasi është e mbuluar nga avujt.

Qarkullimi i mjeteve pësoi një “ngushtim”, duke i dërguar vetëm në dy rrugë të qytetit, e duke e orientuar një numër të madh të tyre në bulevardin “Dyrrah”, që përgjatë verës e vështirësonte lëvizjen e qytetarëve të shumtë dhe turistëve përgjatë tij.

Për nostaligjikët e shatërvanit, mund ta shohin atë se si ishte kur u krijua, në ambientet e bashkisë Durrës, ku foto e shatërvanit gjendet e varur.

Geri Emiri Student, dega Gazetari dhe Komunikim, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës.

Jepni komentin tuaj

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *