Home Monumentet e Kulturës Forum qytetarësh në Dyrrah, mbi vlerat e monumenteve, arritjet dhe sfidat e arkeologjisë
Forum qytetarësh në Dyrrah, mbi vlerat e monumenteve, arritjet dhe sfidat e arkeologjisë

Forum qytetarësh në Dyrrah, mbi vlerat e monumenteve, arritjet dhe sfidat e arkeologjisë

0
0

Arena e amfiteatrit të Durrësit mikpriti qytetarët e saj, ndryshe nga shekuj më parë, jo për t’u argëtuar me dyluftimet e gladiatorëve, por për të reflektuar dhe për të njohur rëndësinë e kësaj vepre madhështore dhe zbulimeve të ngjashme të nëntokës së Durrësit.

Arkeologu Fatos Tartari, që i kaluar dekadat e fundit duke zbuluar objekte arkeologjike në qytet dhe publikuar studime e punime shkencore, tregoi mbi vlerat e monumenteve dhe rëndësinë e ruajtjes së tyre.

Qytetarë, të rinj e të reja, me kërshëri dëgjonin nga shkallaret e amfiteatrit, duke ndërhyrë për ta orientuar bisedën rreth çështjeve që i interesonin.

Arkeologu Tartari foli mbi interesin që shfaqën turistët e huaj për zbulimet e mëdha që nxorri në dritë nëntoka e Durrësit. Megjithëse përpara viteve’ 90-të kishim një Shqipëri me kufinj të mbyllur, vizitorët e huaj nuk ishin të pakët. Gjithashtu shpjegohen në një rrjedhë kronologjike zbuluesit e parë të mozaikut “Bukuroshja e Durrësit”, si edhe të objekteve të tjera me vlera unikale.

Por interesi i ekspertëve të planifikimit të territorit dhe jo vetëm, e orientoi bashkëbisedimin edhe drejt vlerës së objekteve që dolën në dritë nga zbatimi i projektit “Veliera”, si edhe masave që duhen marrë për mbrojtjen e nëntokës së qytetit.

Qyteti i Durrësit përbëhej nga 3 unaza, 3 rrethime me mure të larta dhe të fortifikuar, të cilat arkeologu Tartari i shpjegon se ku shtriheshin.

Interesi i bashkëbiseduesve u përqendrua edhe tek punimet e mjeshtrave të mozaikëve të teknikës bardhë e zi dhe me ngjyra, mozaik të cilët sot gjenden të mbuluar në nëntokën e qytetit, me qëllim ruajtjen e tyre.

Madhështia e Amfiteatrit përbëhet nga shumë “copëza” objektesh të ndërtuara me mjeshtëri  dhe që shpjegohen me imtësi në një tur që u zhvillua në të gjitha ambientet e amfiteatrit.

Organizimi i këtij forumi diskutimi u bë në muajin prill, ku u shënua edhe Dita ndërkombëtare e monumenteve të kulturës dhe siteve arkeologjike, por edhe në një periudhë që me zbatimin e projekteve si “Veliera”, shfaqi një sfidë për ruajtjen e zbulimeve arkeologjike. Organizatore ishte organizata jofitimprurëse “Reflect and Act Organization” (RAO).

Me mbështetjen e Drejtorisë së Kulturës Kombëtare Durrës, e cila vuri në dispozicion ambientet e amfiteatrit të qytetit, në kuadër të bashkëpunimit me të rinjtë dhe studentët.

Amfora.al ishte partner mediatik në këtë aktivitet, duke u kujdesur për komunikimin dhe duke e dokumentuar këtë ngjarje në formë audiovizive, si një bashkëbisedim i munguar prej dekadash në qytet, i cili rrit ndërgjegjësimin për vlerat e monumenteve dhe vjen si një përpjekje për ta parë realitetin në sy dhe treguar situatën që po kalon sot qyteti.

Geri Emiri Student, dega Gazetari dhe Komunikim, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës.

Jepni komentin tuaj

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *