Intervistë mbi gjendjen e monumenteve dhe arkeologjisë në Shqipëri

Në një intervistë në televizionin Fax News, drejtuesi i medias Amfora.al, Geri Emiri, foli mbi dëmtimin e Kalasë së Tiranës dhe mbi gjendjen e monumenteve të kulturës dhe të arkeologjisë në të gjithë vendin.

Biseda i referohet kryesisht nje hulumtimi të bërë në median Amfora.al, publikuar më datë 5 korrik 2017 dhe ku paraqiteshin fakte se si një ndërtim i ri brenda kalasë së Tiranës po e dëmtonte monumentin dhe po shkelte ligjin.

Ndërtimi nuk ka lidhje drejtpërdrejtë me veprimtarinë arkeologjike apo të trashëgimisë kulturore, pasi është një veprimtari tregtare dhe administrohet nga një subjekt privat, duke rënë kështu në kundërshtim me VKM-në e vitit 2016-të, që në nenin 2, me shtimin e pikës; “Vendosja e konstruksioneve të lehta (dru, xham, plastikë, metal), me lartësi maksimale 1 kat…”, i hapi rrugë ndërtimit brenda Kalasë së Tiranës.

Konkretisht brenda kalasë është shtruar një shtresë betoni mbi 20 cm, material që nuk specifikohet në pikën e mësipërme. Këto struktura prej metali dhe tullash, që ngrihen mbi sipërfaqen e betonit, nuk janë në lartësinë e 1 kati, por gati të tre kateve.

“Ne analizuam se çfarë po ndodhte në Kalanë e Tiranës. Tek porta hyrëse është ndërhyrë në monument. Kemi bërë një monitorim disamujor. Institucionet shtetërore duhet të mbrojnë monumentet”, u shpreh Emiri.

I pyetur nëse kanë vënë në dijeni institucionet shtetërore, drejtuesi i Amfora.al u shpreh se i kanë vënë në dijeni, por nuk janë treguar bashkëpunues.

Më tej duke folur për situatën e përmbytjes së monumenteve të kulturës dhe dëmtimit të tyre nga shirat me intensitet, doli në pah se mungesa e mirëmbajtjes, restaurimeve dhe mos zbatimi i projekteve që janë hartuar prej vitesh, është një ndër arsyet kryesore për rrënimin e banesave monument kulture apo dëmtimin e strukturave arkeologjike.