Lezha, aty ku ilirët bashkëjetojnë me romakët dhe Skënderbeun

Pranë bregdetit Adriatik, shtrihet një prej qyteteve të Veriut të Shqipërisë, me një histori dhe trashëgimi kulturore të larmishme. Pranë qendrës së qytetit të Lezhës, shkrihen tre periudha që kanë vulosur historinë e kombit shqiptar dhe jo vetëm. Ilirët, romakët dhe Skënderbeu shkrihen në një harmoni midis tyre, falë zbulimeve arkeologjike dhe memorialit përkujtimor kushtuar heroit tonë kombëtar.

Atje ka qenë Jul Cezari, dhe po atje, Skënderbeu, u kërkoi besën princërve shqiptar. Sipas Wikipedias, Lezha, si qytet me hershmërinë e saj, përfaqësonte një qerthull të një fisi ilir, prej të cilit trashëgonte emrin e tij “Lissitan”. Ky emër dokumentohet nëpërmjet monedhave të prera nga qyteti.

Memoriali i Vendvarrimit të Gjergj Kastrioti Skënderbeut është ndërtuar mbi kishën e Shën Kollit, aty ku në vitin 1468 u varros Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kur turqit pushtuan qytetin e Lezhës, shkatërruan dhe hapën varrin e Gjergj Kastriotit, duke mbështjelle eshtrat e tij me flori e argjend, për t’i përdorur si hajmali të pathyeshmërise në beteja.

Kisha Ortodokse ose kisha e Metamorfozës në Lezhë, ngrihet në një vend të dukshëm përballë kishës së Shën Kollit (e stilit bizantin), ku u varros Gjergj Kastrioti.