Muret e Kalasë së Elbasanit, “panteon” i burrave të shtetit dhe ngjarjeve historike

 

FOTO-REPORTAZH/

Po në Shqipërinë e Mesme, gjendet qyteti i tretë më i madh në vend. Elbasani dikur ishte stacion i rrugës “Via Egnatia”. Vijimi i rrugës përshkonte Kalanë e Elbasanit. Sipas Institutit të Monumenteve të Kulturës, mosha e saj është rreth 2000 vjeçare.

Kalaja është një ndërtim romak, ngritur në fillim të shekullit III të erës sonë si një kështjellë ushtarake. Në periudhën e hershme Osmane, kalaja kishte një rol shumë të rëndësishëm ushtarak për qytetin. Një pjesë e materialeve nga periudha romake e bizantine janë përdorur gjatë rindertimit nga Mehmeti II, ku mund të shihen qartë në themelet e kullës jug perëndimore. Kjo kala ka pasur 26 kulla në largësi të barabartë nga njëra-tjetra, e sot ruhen vetëm 8 kulla, ndërsa gjatë gjithë murit lartësia shkon në 9 m.

Mbi muret e kalasë duket sikur zgjasin qafën ndërtimet e shumta, ndersa jashtë mureve, mbi gurë ose në lulishte, janë rreshtuar përgjatë gjithë gjatësisë monumente përkujtimore, për ngjarje dhe figura të shquara historike.

Aqif Pashë Elbasani (1860-1926) ka vendin e tij të nderit, rrethuar me lule të shumta. Sot duket sikur i bën karshillëk mureve që për shekuj strehuan osmanët. Ai e nisi veprimtarinë e tij politike në kohën kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane dhe ishte një ndër aktivistët e lëvizjes kombëtare kundërosmane. Pas shpalljes së Pavarësisë, ai mbajti poste si ministër i brendshëm, i luftës, kryetar i Qeverisë së Përkohshme (1916), deputet në qeverinë e Nolit dhe prefekt i Elbasanit.

Pak metra më poshtë, qëndron monumenti përkujtimor i një tjetër figure që ka lënë gjurmë në historinë e vendit. Lef Nosi (1877-1945), nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, patriot, politikan shqiptar, dhe arkeolog. Nosi u pushkatua në vitet e diktaturës komuniste.

Monumenti në vijim duket sikur e lidh historinë e tij të trishtë me simbolikën e skulpturës së Vladimir Caridhës. Ajo i kushtohet martirëve të mendimit të lirë përgjatë viteve të diktaturës.

Por një pllakatë përkujtimore pak metra më poshtë, tregon se Kalaja e Elbasanit është dëshmitare edhe e rezistencës antinaziste të 4 të rinjve që u vranë aty, në vitet 1943-1944.

Për të nxjerrë nga përhumbja historike kujdeset Kulla e Sahatit. Kryeneçe zgjatet mbi kullën e kalasë dhe me vështrimin në të gjitha anët, drejton boshtin e përditshmërisë së çdo elbasanlliu. Në një lartësi prej 30 metrash, ajo u rindërtua në vitin 1897, mbi njërën nga kullat fortifikuese të Kalasë, ku dikur ndodhej një sahat më i vjetër qytetar, me strukturë druri.

Këto janë “karamelet” e Kalasë së Elbasanit, pasi ‘torta’ gjendet në brendësi mureve, ku ajo ndahet në 12 pjesë, të gjitha ndërtime me statusin Monumente Kulture dhe me vlera të çmuara historike.