Pompei shqiptar që u gropos me dashje

FEATURE/

Durrësi 3000-vjeçar është ndër qytetet shqiptare ku trashëgimia kulturore nuk është ruajtur por shkatërruar. Rasti më flagrant është betonizimi i zbulimeve arkeologjike në zonën e ish-lulishtes “1 Maji”.

E. Sh. është një prej arkeologëve që e cilësojnë si masakër ndaj arkeologjisë atë që ka ndodhur në Durrës. “Rrënojat arkeologjike të zbuluara duhet të ruheshin të paprekura dhe zgjidhja do të ishte duke i shpronësuar pronarët e truallit ose të ndërtohej pa i prekur këto gjetje”, tregon E. Sh.

“Aksioni” i shkatërrimit të objekteve arkeologjike të gjetura pas gërmimit për ndërtimin e një kompleksi pallatesh, filloi në vitin 2010.

Nga gërmimet për hapjen e themeleve të pallateve, u konstatuan disa gjetje arkelologjike, si: Varreza mesjetare, një monument që mund t’i përkiste antikitetit të vonë (mund të ishte bazilikë), një lagje romake me tre rrugë, si dhe gjetje të tjera.

Ngritja e themeleve të pallateve mbi rrënojat arkeologjike nuk është një praktikë e panjohur në Shqipëri. Në Durrës këtë e tregon dhe numri prej 179 pallatesh të ngritura mbi këto rrënoja. Në 25 vite kjo ka ndodhur me “bekimin” e Këshillit Rregullues të Territorit (KRRT) të bashkisë Durrës, e cila ka dhënë lejet e ndërtimit.

Leja e ndërtimit të pallateve u dha mbi një zonë lulishte, ku në vitin 1941 është gjetur thesari më i madh arkeologjik i zbuluar në Shqipëri, prej 4000 monedhash argjendi. Kjo ishte vetëm maja e ajzbergut. Pas zbulimit të rrënojave, gërmimet u menaxhuan nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA) dhe nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (ASHA), pranë ministrisë së Kulturës.

Gjithçka filloi me vendimin e KKA-së, që  i orientoi punimet si gërmim-shpëtimi, e cila është një procedurë gërmimi e përshpejtuar dhe një nga rastet kur kryhet është kur gjetjet kanë dalë si pasojë e gërmimeve për ndërtime.  Gërmimet zgjatën 6 muaj dhe u kryen nga një firmë private arkeologjike.  Çuditërisht ajo që u konstatua dhe zbulua gjatë gërmimeve nuk u konservura, siç dhe e kërkon procedura e kërkim-shpëtimit.

“Rrumpallë” nuk ishte vetëm vendi i gërmimeve por dhe i vendimeve. Kjo kuptohet nga mbi 15 dokumentet vendimarrëse për zbatimin e gërmimit arkeologjik, konservimeve,  kontrollit dhe dokumentacionit, të cilat dolën deri në mbarimin e gërmimeve.

Vlera historike e lagjes romake dhe objekteve të gjetura në to, nuk ishte e njëjtë me atë të qindra objekteve të groposura në themelet e shumë pallateve në të gjithë Shqipërinë. Cilësimi i saj nga arkeologu Gjergj Frashëri, si Pompei shqiptar, tregon rëndësinë e asaj që humbi ditën për diell, në sy të qytetarëve dhe pushtetarëve.

Apelit të arkeologëve dhe ekspertëve për të mos ndërtuar në këtë zonë, ministri i Kulturës dhe 8 specilaistë e drejtues institucionesh, i’u përgjigjën me firmosjen e një dokumenti që kërkonte lirimin e gropës së gërmuar, për t’i hapur rrugë ndërtimit të objektit (dokumenti i bashkëlidhur në fund, 1.0).

Klasifikimi i kësaj zone arkeologjike si e 1kategorisë B, i dha “kënaqësinë” fadromave dhe pompave të betonit që të krijonin një trashëgimi të re kultore, atë të kaosit të ndërtimeve që i ka marrë frymën qytetit.

Nga zona prej 5000 m2 ku u kryen gërmimet, instituconet përgjegjëse në  Ministrinë e Kulturës vendosën ruajtjen e vetëm 6 m2 nga lagjia romake e zbuluar, ndërsa mbi pjesën tjetër u ndërtua një pallat 6 katësh (dokumenti i bashkëlidhur në fund) .

Megjithatë Ministria e Kulturës dhe ndërtuesit u treguan “bujar”. Ashtu siç shkruhet edhe në tabelën infromuese të këtyre ndërtimeve, nga sipërfaqja totale e ndërtimit prej 20.000 m2, 1 kat nëntokë është Muze Arkeologjik.

Drejtuesit e institucioneve dhe specialistët përgjegjës në reagimet e tyre i’a pasuan fajin njëri-tjetrit për atë që ndodhi dhe megjithatë asnjë hetim nuk nisi nga Prokuroria.

Me ngjyrë të kuqe është shënuar zona e ndërtuar dhe me blu përafërsisht perimetri i gërmimeve arekeologjike që u kryen

7 vite nga ky shkatërrim i një prej vlerave më të mëdha të trashëgimisë kulturore shqiptare, ende nuk dihet fati i nëntokës në dy pallatet e tjera të ndërtuara aty, ku nuk u mor vesh nëse aty u kryen gërmime për gjetje arkeologjike.

Përveç 6 m2 që mbetën nga ajo çfarë u zbulua, Durrësi përfitoi dhe një Muze Arkeologjik në themelet prej betoni të një kompleksi pallatesh, të cilin nuk do ta pranonin as vendet më të pazhvilluara të botës.

Arkeologu E. Sh. shprehet se mënyra e vetme për t’i shpëtuar nga dëmtimet zonat arkeologjike në të gjithë vendin, është rishikimi i mënyrës së mbrojtjes së trashëgimisë.

SHËNIM:

*1Zonë arkeologjike B –  Lejohen ndërtimet e reja në rastet e përcaktuara në rregulloren e administrimit të këtyre zonave, pas miratimit nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë

*Përdorimi i inicialeve të arkeologut është zgjedhje e reporterit.