Home Rreth Nesh

Rreth Nesh

Si lindi Amfora.al?

“Amfora.al” ka lindur si një punim diplome, në “Atelien e Multimedias”, pjesë e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, në Universitetin e Tiranës, viti III, Bachelor.

“Krijimi i blogut jofitimprurës“Amfora.al”përbën edhe finalizimin e një dëshire të kahershme që unë kam pasur, e që lidhet me përgjegjësinë qytetare dhe profesionale për të raportuar mbi gjendjen dhe zhvillimet e arkeologjisë dhe monumenteve të kulturës në vendin tonë”.

Ndër vite qytete simbol të vlerave kulturore, si Durrësi, Vlora, Shkodra dhe të ngjashëm me to, kanë rënë pre e abuzimit në emër të zhvillimit urban, duke shkatërruar vlerat arkeologjike dhe historike.

“Amfora.al” lindi në një moment kritik për qytetin e Durrësit, pasi përgjatë punimeve për zbatimin e projektit të sheshit të ri “Veliera”, dolën në dritë objekte arkeologjike. “Amfora.al” bazuar tek parimet më të larta gazetareske, u rreshtua përkrah lëvizjes qytetare për mbrojtjen e arkeologjisë, duke sjellë materiale ekskluzive që pasqyronin situatën dhe abuzimin në kurriz të arkeologjisë, e që shërbyen për të ndaluar dëmtimin e mëtejshëm të zbulimeve arkeologjike.

Rrugëtimi i “Amfora.al” do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, për të raportuar dhe qenë “gardian” i mbrojtjes së vlerave tona kulturore, ku një fokus të veçantë do të ketë qyteti i Durrësit.

Pse “Amfora”?

Tematikat që trajton blogu janë konkrete, të prekshme dhe jo koncepte abstrakte. Për këtë arsye amfora që përdorej shekuj më parë për të mbajtur e transportuar kryesisht verën dhe vajin e ullirit, është simbol i një objekti konkret dhe me vlerë në proceset jetësore.

Por edhe sepse blogu ka një qasje kritike dhe investiguese, me një emër që përfaqëson lënien pas dore të arkeologjisë dhe dëmtimin e saj, ashtu si amforat e lëna në harresë, në fundin e detit Adriatik dhe Jon, apo amforat që u thyen gjatë zbatimit të projektit “Veliera” dhe në disa prej shesheve të ndërtimit në qytetin e Durrësit.

Duke ju falenderuar që na ndiqni, me respekt themeluesi i blogut jofitimprurës “Amfora.al”, Geri Emiri.