Zbulimi i murit bizantin në Durrës, flet arkeologia

Nëntorin që lamë pas nëntoka e qytetit të Durrësit dhuroi një zbulim të ri arkeologjik, të ruajtur me kujdes midis shtresës së dherave. Nga gërmimi u zbuluan mbetjet strukturore të një godine shumë të rëndësishme publike.

Gërmimet janë drejtuar nga arkeologia Brikena Shkodra, pjesë e Institutit të Arkeologjisë, e cila tha për “Amfora.al”, se paraprakisht mendohet se faza e parë e ndërtimit të monumentit duhet lidhur me gjysmën e dytë të shekullit V pas erës sonë.

Ndërsa pas braktisjes së tij, hapësira është ripërdorur në 3 faza të ndryshme kronologjike, me kohëzgjatje nga shekulli VII deri në shek. XIV.

Aktualisht muri i zbuluar është rimbuluar, për arsye konservimi dhe pengesës që krijon në lëvizjen e banorëve.

Arkeologia, Dr. Brikena Shkodra, pranë murit të zbuluar

Më çfarë zbulimi kemi të bëjmë?

Bëhet fjalë për një gërmim arkeologjik pranë qendrës së qytetit modern të Durrësit, që pak a shumë korrespondon me qendrën romake dhe bizantine të qytetit të vjetër të Durrësit, Dyrrhachium-it (Dyrrah-ut).

Është një projekt i ideuar dhe financuar nga Instituti i Arkeologjisë. Projekti drejtohet nga unë dhe kemi angazhuar edhe studentë të Universitetit të Durrësit, për t’u njohur me metodat e gërmimit arkeologjik.

Arsyeja përse vendosa ta bëj sondazhin arkeologjik këtu, është se në sipërfaqen e tokës ruhej një pjesë muri, rreth 80 cm i lartë, mbi nivelin aktual të tokës. Nga teknika e ndërtimit, dukej se struktura i përkiste periudhës bizantine, e krahasueshme me teknikën e ndërtimit të murit të kalasë së qytetit.

Me ngjyrë blu, pjesa e dukshme e murit, mbi sipërfaqen e tokës

Të qenurit shumë pranë Forumit Bizantin (Shesh-tregu Bizantin) dhe vendit ku është zbuluar një strukturë po e periudhës bizantine dhe skulptura e njohur e Geas, që aktualisht ndodhet në Muzeun Arkeologjik Durrës, na jep informacionin se kemi dy struktura shumë të rëndësishme publike, që ndodhen pranë kësaj vend-gjetjeje (muri i zbuluar), e që na bën të mendojmë se ndodhemi në qendër të qytetit bizantin.

A keni shkuar me anë të gërmimeve deri në themelin e murit?

Kemi arritur deri në nivelin e dyshemesë dhe sipërfaqes së themelit, që shkon në rreth 3 metra thellësi.

Muri ka trashësi mbi 1.5 metër, por që nuk mund ta masim plotësisht, për shkak se kemi gërmuar vetëm faqen e brendshme të godinës, dhe nuk e masim dot anën e jashtme sepse futet në banesat që janë ngjitur.

A mund të ketë një vazhdim të murit ose godinës që ngrihej aty?

Muri është thyer nga ndërtimet e banesave që janë bërë. Duke vlerësuar koston e lartë që ka pasur ndërtimi i murit në periudhën bizantine, i cili në të gjithë lartësinë e vet është ndërtuar vetëm me tulla dhe llaç, asnjë material tjetër. Tulla është materiali më i kushtueshëm dhe më cilësor i ndërtimeve në antikitet.

Gjithashtu fakti që fasada e brendshme e murit është e dekoruar me afresk, i cili ka një pikturim me tre breza ngjyrash, nga niveli  i dyshemesë, deri në lartësinë rreth 1.8 metër, është brezi i ngjyrës së bardhë. Mbi të ruhet një brez me ngjyrë të kuqe, rreth 20 cm dhe mbi të është një brez tjetër në ngjyrë okër, por që nuk i përcaktojmë dot përmasat sepse ruhen vetëm disa copëza të tij.

Me rreth të kuq, mbetjet e afreskut

Kjo na bën të mendojmë se kemi të bëjmë me një godinë publike luksoze, ndoshta me një gjatësi rreth 100 metra. Afresku na njeh me faktin se kemi të bëjmë me një nivel të lartë cilësor dhe artisitk, punim që nuk bëhej në qytete të zakonshme, por në qyetete të rëndësishme të Perandorisë Bizantine, siç ishte edhe Durrësi.

Bëhet fjalë për kohën kur Durrësi ishte kryeqendra e provincës së Epirit të Ri.

Nga vëzhgim i murit, vërejmë se ka disa vrima përgjatë tij. Për çfarë mund të kenë shërbyer?

Stratigrafia tregoi të dhëna të tjera shumë të rëndësishme, që lidhen me pas-historinë e godinës, që ka të bëjë me nivelin e braktisjes së saj dhe kthimi i hapësirës në një varrezë. Dy varre janë zbuluar në nivelin më të hershëm, pra pas braktisjes së këtij objekti të rëndësishëm të qytetit, ai u kthye në varrezë.

Tipologjia e varreve dhe niveli i gjetjes së tyre, krahasuar me pika të tjera në qytet, na bën të mendojmë se kemi të bëjmë me fundin e shekullit të VII të erës sonë, kohë që braktiset edhe Forumi Bizantin (Shesh-tregu Bizantin).

Të gjitha shtresat që ne kemi gërmuar bartin historinë e tyre. Përpara se të braktisej objekti, vërejmë se ka një ribërje të dyshemesë, në një formë paksa më të thjeshtë, dhe në fasadë, mbi afresk, gjejmë të vendosur një shtresë tjetër prej llaçi hidroizolues, që mbulon afreskun.

Në një kënd të vetëm, nga njëra anë gjetëm negativin e një pllake prej mermeri, rreth 2 cm të trashë, dhe nga ana tjetër formën e nishes së harkuar (strukturë e harkuar në mur), që përdorej për të vendosur skulptura dekorative.

Me rreth të kuq, nishja e harkuar

Pas dobësimit të Bizantit, bie niveli ekonomik në qytet dhe njerëzit braktisin ndërtesat e mëdha publike, duke i shfrytëzuar më vonë këto struktura të braktisura për të banuar. Mbi nivelin e braktisur të gjetur, banorët ndërtuan shtresa argjilore, vendosën trarë druri për të ngritur çatinë dhe si mure përdorën ato të gjetura. Kjo është mënyra se si jetonin njerëzit në fillimin e shekullit të VII, pra fillimi i Mesjetës së Hershme.

Pranë këtyre strukturave të thjeshta banimi, bëheshin edhe varret. Kështu humbi kuptimi i qytetit të vjetër klasik.

Vrimat që ne shohim në fasadën e murit, janë simetrike dhe në vijë horizontale, në të paktën 3 nivele të vona dyshemeje dhe ripërdorimi të hapësirës, që zgjat nga shekulli VII, deri në shekullin XIV, e që i identifikova përgjatë gërmimeve,  mund të kenë shërbyer për vendosjen e trarëve të dyshemesë. Por kjo duhet studiuar me kujdes, pasi është i paqartë funksioni i tyre.

Me ngjyrë blu, vrimat e hapura në mur

A kishin informacione banorët për praninë e këtij muri?

Kam dëgjuar jo nga banorët, por të njohurit e mi, të cilët e morën vesh se do gërmoja aty, e që më thanë se dy prej banesave që janë rindërtuar në 20 vitet e fundit, kur kanë hapur gropën e themeleve, kanë prishur struktura masive.

A do t’i vazhdojë gërmimet Instituti i Arkeologjisë?

Është një strukturë shumë e rëndësishme, që patjetër do të jetë pjesë e angazhimeve të Institutit të Arkeologjisë. Problem mbeten kushtet në terren, pasi gjetja rrethohet nga banesat private dhe fatmirësisht gjetëm mirëkuptimin e banorëve, pasi për rreth tre javë bllokuam një pjesë të rrugicës.