Qytetarët dhe arkeologët takohen në një tur kulturor për të njohur më tej Durrësin

Paraditen e kësaj të diele Media Amfora ftoi qytetarët në një tur kulturor në sitet arkeologjike dhe muzetë në Durrës, për të njohur më shumë historinë e qytetit dhe sfidat bashkëkohore.

Mbi 50 banorë të Durrësit, shtetas të huaj që jetojnë në qytet dhe një grup të rinjsh nga Shijaku dhe Tirana ju përgjigjën ftesës, duke ndjekur organizimin që zgjati rreth 3 orë.

Nga periudha e arkaike deri në atë moderne, ndalesat ishin të shumta dhe pika e nisjes ishte Muzeu Arkeologjik Durrës, ku gudia Bledar Bica shpjegoi për disa nga pavijonet e muzeut. Studiuesi i hsitorisë së qytetit të Durrësit, Dorian Hatibi solli informacione të reja në çdo ndalesë dhe ju përgjigj pyetjeve të ndryshme të pjesëmarrësve.

Pjesëmarrësit duke bashkëbiseduar në Muzeun Arkeologjik Durrës. Foto: Griseld Hoxha

“Turi kulturor erdhi si një sugjerim dhe kërkesë pas takimit që Media Amfora organizoi më datë 25 shtator, ku ekspertë dhe qytetarë e panë si një pikë bashkimi, i njohjes së qytetit dhe nevojës për të reflektuar”, shpjegoi editori i Medias Amfora, Geri Emiri.

Pjesëmarrësit dëgjuan rrëfime eksluzive nga arekologët që kanë gërmuar në nëntokën e qytetit dhe prezantuan një sërë gjetjesh të ekspozuara në Muzeun Arekologjik Durrës.

Arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia shpjegoi për figurinat e qeramikës të zbuluara tek Tempulli i Artemisës në qytetin e Durrësit.

Vizitorët në Muzeun Arkeologjik Durrës. Foto: Livia Kreko/ Media Amfora

Në Amfiteatrin Romak guida Ina Ajazi shoqëroi të pranishmit duke shpjeguar për të gjithë monumentin, duke u pasuruar me informacionet e sjella nga arkeologu Jani Koçillari.

Media Amfora në kuadër të aktiviteteve që nxisin njohjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e saj, e organizoi turin kulturor falas për të gjithë qytetarët në bashkëpunim me Qendrën Muzeore Durrës dhe MuZEH Lab.

Qytetarët u ftuan që ta vazhdojnë angazhimin e tyre me median përmes platformës së quajtur “Raportimi i Qytetarëve të Angazhuar” – ku mund të sjellin opinione, denoncime dhe sugjerime për tema që Media Amfora mund t’i raportojë.

Vizitorët në Muzeun Arkeologjik Durrës. Foto: Livia Kreko/ Media Amfora

Nxitja e ideve kreative rreth trashëgimisë kulturore u shpalos nga themeluesja e MuZEH Lab, Dorina Xheraj-Subashi, teksa turi kulturor u përmbyll me një takim kafeje, ku u diskutua midis pjesëmarrësve për nisma të ngjashme ne vijim.

_________

Media Amfora fton herë pas here të apasionuarit dhe të gjithë qytetarët që të raportojnë mbi raste konkrete që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe arkeologjinë, duke dhënë informacione apo plotësuar pyetësor që publikohen në faqe. Klikoni KËTU dhe ndiqni lajmet tona rreth raportimeve tuaja apo plotësoni pyetësorët që ne publikojmë për “Raportimin e Qytetarëve të Angazhuar”.

Foto në krye: Vizitorët në Amfiteatrin Romak. Foto: Griseld Hoxha