Home Monumentet e Kulturës Ndërtimi brenda Kalasë së Tiranës, “i ligjëruar” duke shkelur ligjin!!!
Ndërtimi brenda Kalasë së Tiranës, “i ligjëruar” duke shkelur ligjin!!!

Ndërtimi brenda Kalasë së Tiranës, “i ligjëruar” duke shkelur ligjin!!!

0
0

HULUMTIM/

Prej rreth 5 muajsh në perimetrin e Kalasë së Tiranës po zhvillohet një projekt i quajtur “Pazari i Vjetër i Tiranës”. Ky investim po kryhet nga “familja Toptani”, paraardhësit e së cilës vinin nga Kruja dhe e morën në kontroll kalanë në vitin 1798-të.

Kalaja e Tiranës është monument kulture i kategorisë së I, shpallur me vendimin e vitit 1973. Gjurmët e reja të Kalasë së Tiranës janë shpallur monument kulture të kategorisë së I, me vendimin e vitit 2008-të dhe në vitin 2009-të, perimetri përreth Kalasë së Tiranës u shpall Zonë Arkeologjike A.

Ndryshe nga ndërtimet e pak viteve më parë, ky projekt që po zbatohet sot, disponon të gjitha lejet e nevojshme dhe të gjitha institucionet në përgjigjet e sjella për Amfora.al, citojnë detyrimin për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave, që legjitimon këtë ndërhyrje në Zonën Arkeologjike A, që sipas ligjit ndalon çdo lloj projekti me karakter ndërtimor.

Çfarë thotë VKM-ja e vitit 2016-të?!

Ajo ndërhyn në përmbajtjen e VKM-së paraardhëse, të vitit 2009-të, “Për Shpalljen Zonë Arkeologjike A dhe Rregullores së Administrimit të Kalasë së Tiranës” dhe në nenin dy shton pikën:

“Vendosja e konstruksioneve të lehta (dru, xham, plastikë, metal), me lartësi maksimale 1 kat, të cilat duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara. Konstruksionet, në funksion të ruajtjes, ekspozimit, informimit publik, që lidhen me veprimtarinë arkeologjike, në veçanti, dhe trashëgiminë kulturore, në përgjithësi, si dhe nevoja të tjera të rikualifikimit urban të zonës, duhet të jenë të lëvizshme (të çmontueshme) dhe, në asnjë rast, nuk duhet të dëmtojnë nëntokën dhe peizazhin…Vendosja e tyre bëhet me mbikëqyrjen e autoriteteve të specializuara shtetërore”.

Kjo pikë e shtuar i hapi rrugën një ndërtimi që është jashtë vetë subjektit të kësaj përmbajtje. Ndërtimi nuk ka lidhje drejtpërdrejtë me veprimtarinë arkeologjike apo të trashëgimisë kulturore, pasi është një veprimtari tregtare dhe administrohet nga një subjekt privat.

Konkretisht brenda Kalasë së Tiranës është shtruar një shtresë betoni mbi 20 cm, material që nuk specifikohet në pikën e mësipërme. Këto struktura prej metali dhe tullash, që ngrihen mbi sipërfaqen e betonit, nuk janë në lartësinë e 1 kati.

Inxhinierë ndërtimi pohuan për Amfora.al se standardi i lartësisë së një kati është 2 metër e 80 centimetra. Ndërkohë që në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), vetë investitori pohon se lartësia maksimale është 8 metra.

Peizazhi është dëmtuar, pasi lartësia e murit të ndërtuar del mbi murin e Kalasë dhe nuk lejon shikimin e lirë në ambientet e brendshme të saj. Ndërsa vendosja në beton e strukturave metalike, nuk i bën ato të lëvizshme dhe nuk lejojnë kryerjen e projekteve studimore-shkencore (kërkimeve arkeologjike).

Muret e ngritura me tulla janë jashtë asaj që parashikojnë ndryshimet në VKM-në e vitit 2016-të dhe nuk respektojnë asnjë distancë me muret e kalasë apo ndërtimet ekzistuese, ku sipas legjislacionit, tre kate ndërtim është i barabartë me jo më pak se 8 metra distancë nga ndërtimi më i afërt (1 kat = jo më pak se 4 metra distancë).

Ndërsa “Ligji për Trashëgiminë Kulturore”, në nenin 32 shkruan:

2. “Përmasat e zonës mbrojtëse përcaktohen nga organi që shpall monumentin, sipas studimit të bërë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Në këtë zonë ndalohet çdo ndërhyrje me karakter ndërtimor”.

VKM-ja e vitit 2009-të e përcakton perimetrin mbrojtës disa metra larg mureve të kalasë, ndërsa ndërtimi është brenda tyre.

Ndërsa neni 38-të e pëmbys të gjithë manovrën për hapjen e rrugës për ndërtimet në një monument kulture, kur shkruan se:

“Çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura monument kulture ose në zonën e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është i pavlefshëm”.

Sipërfaqja e këtij turalli është rreth 3000 m2, ku godinat do të zënë një sipërfaqe prej rreth 1600 m2.

Nga monitorimi disa mujor i Amfora.al, rezulton se është dëmtuar harku prej guri i portës së kalasë, duke e shpuar në pikën kulmore dhe vendosur aty një ndriçues. Po ashtu është shtruar me beton sipërfaqja e tokës ngjitur me murin rrethues të kalasë, duke cënuar kështu blloqet e gurit që e formojnë atë.

Megjithëse Instituti i Monumenteve të Kulturës është vënë në dijeni nga ana jonë për shkeljet, ajo vijoi t’i qëndronte citimit të detyrimit ligjor për zbatimin e VKM-së së vitit 2016-të, megjithëse vetë kjo VKM udhëzon që punimet të monitorohen nga specialistët.

Ndërtime që prej vitesh po “thërrmojnë” kalanë:

Ky ndërtim paraqitet si më “i moderuar”, duke marrë parasysh faktin se në vitin 2009-të, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve miratoi 3 projekte restaurimi. Por subjekti privat “IDA sh.p.k”, në pronësi të biznesmenit të ndërtimit, Alban Xhillari, që ka ngulur rrënjë prej vitesh në Kalanë e Tiranës, nga restaurimi kaloi në ndërtim.

Pjesë e projekteve ishte restaurimi i ish-bar “Kalaja”, që u prish dhe mbi të u ndërtua restorant “Milenium gourmet”, që në mënyrë të paprecedentë, u ngrit mbi murin rrethues të kalasë.

Po ashtu objektet në pronësi të këtij subjekti privat, si klub “Folie Terrace”, klub “Mumja” si edhe një pjesë e “Kinema Millenium 2”, janë të jashtëligjshme, në një Zonë Arkeologjike A dhe institucionet u treguan të paafta për të mbrojtur një monument kulture të kategorisë I. Po ashtu në vitin 2015-të, në ambientet e “Folie Terrace” nisën punime me karakter ndërtimor, por që u ndalua nga denoncimi i bashkisë Tiranë dhe Familjes Mbretërore. Inspektoriati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit reagoi pas 3 muajsh duke kallëzuar penalisht “IDA Sh.p.k” dhe shembur objektin pa leje.

Kalaja e Tiranës, krenaria e mohuar e arkeologjisë së kryeqytetit:

Sipas Institutit të Monumenteve të Kulturës, Kalaja e Tiranës është një fortifikim fushor me planimetri drejtkëndëshe, që zgjatet në drejtim lindje-perëndim. Pjesë ndërtimore të ruajtura në disa prej kullave dhe segmenteve të mureve rrethuese tregojnë se kalaja mund të jetë ndërtuar për herë të parë gjatë antikitetit të vonë, ndoshta në periudhën e hershme bizantine (shek. IV-VI e.s). Ajo mendohet se i takon njërës prej fortifikimeve të ndërtuara ose të rindërtuara nga perandori Justinian në Epirin e Ri (provincën e Durrësit).

Pjesa e mureve rrethuese që shihen sot mbi tokë i takojnë ndërtimeve të shekujve të fundit, të cilat janë ndërtuar nga Ahmet Pashë Bargjini (1788-1809), në dhjetëvjeçarin e fundit të shek. XVIII, mbi rrënojat e keshtjelles së vjetër. Nga muret rrethuese të kalasë ruhet një pjesë e murit verior, midis kullës B dhe C që arrin në një lartësi deri 4 m dhe trakte në anën jugore të saj. Teknika e ndërtimit të këtij muri paraqet dy faza: antike dhe atë mesjetare të shek. XVIII.

Sot njihen tre Kulla (A,B,C), në anën veriore të kalasë me planimetri rrethore (A), kuadratike (B) dhe drejtkëndëshe (C). Kulla C është e vetmja kullë që ruhet deri në lartësinë 3 m. Supozohet ekzistenca hipotetike e kullave të tjera në anën perëndimore dhe atë lindore të murit rrethues të kështjellës.

Geri Emiri Student, dega Gazetari dhe Komunikim, Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë, Universiteti i Tiranës.

Jepni komentin tuaj

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *