Përfundon ndërtimi brenda kalasë së Tiranës, me shkelje ligjore

Pas rreth 1 viti punimesh, ka përfunduar ndërtimi i projektit të quajtur “Pazari i Vjetër i Tiranës”. Ky investim po kryhet nga subjekti privat “Toptani Construction”, administratorja e të cilit deklaroi muaj më parë për Gazeta Shqiptare, “se kjo ka qenë një spunto e madhe edhe e bashkisë së Tiranës, e kryetarit zotit Veliaj, e zonjës Mirela Kumbaro, ministres së Kulturës për t’i sjellë një risi, për të sjellë një gjë shumë të bukur”.

Në vijim të raportimit mbi këtë ndërtim, “Amfora.al” konstaton se ai është në kundërshtim me atë që lejon ligji. Kalaja e Tiranës është monument kulture i kategorisë së I dhe në vitin 2009 perimetri përreth Kalasë së Tiranës u shpall Zonë Arkeologjike A.

Ky projekt mori udhë pas ndryshimit në Vendimin e Këshillit të Ministrave për miratimin e rregullores së administrimit të kalasë, kur në vitin 2016 u ndërhy në përmbajtjen e VKM-së paraardhëse, të vitit 2009-të, dhe në nenin 2 u shtua pika:

“Vendosja e konstruksioneve të lehta (dru, xham, plastikë, metal), me lartësi maksimale 1 kat, të cilat duhen realizuar larg mureve dhe strukturave të tjera të dallueshme apo të supozuara…duhet të jenë të lëvizshme (të çmontueshme) dhe, në asnjë rast, nuk duhet të dëmtojnë nëntokën dhe peizazhin”.

13 janar 2018

Konkretisht brenda Kalasë së Tiranës është shtruar një shtresë betoni mbi 20 cm, material që nuk specifikohet në pikën e mësipërme. Këto struktura prej metali dhe tullash, që ngrihen mbi sipërfaqen e betonit, nuk janë në lartësinë e 1 kati.

Inxhinierë ndërtimi pohuan për Amfora.al se standardi i lartësisë së një kati është 2 metër e 80 centimetra. Ndërkohë që në Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM), vetë investitori pohon se lartësia maksimale është 8 metra.

Peizazhi është dëmtuar, pasi lartësia e murit të ndërtuar del mbi murin e Kalasë dhe nuk lejon shikimin e lirë në ambientet e brendshme të saj. Ndërsa vendosja në beton e strukturave metalike, nuk i bën ato të lëvizshme dhe nuk lejojnë kryerjen e projekteve studimore-shkencore (kërkimeve arkeologjike).

“Edhe shtresa e betonit, sa e lejon ligji, është diçka e hollë, sepse unë nuk mund të vë një skelet në zhavorr, në gurë, dhe është kaq e hollë sa në mënyrë kategorike nuk mund të ketë probleme për nënshtresat e tokës”, deklaroi në atë kohë administratorja e firmës “Toptani Construction”, Klodjana Toptani.

Ligjin për Trashëgiminë Kulturore nuk rezulton të përmendet fjala “beton” apo ndonjë standard i lidhur me përdorimin e tij, po ashtu në Zonën Arkeologjike A dhe rregulloren e administrimit të Kalasë së Tiranës, nuk përmendet fjala “beton” dhe shkruhet qartazi se nuk lejohen ndërtimet.

“Ligji për Trashëgiminë Kulturore”, në nenin 32 shkruan:

“Përmasat e zonës mbrojtëse përcaktohen nga organi që shpall monumentin, sipas studimit të bërë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Në këtë zonë ndalohet çdo ndërhyrje me karakter ndërtimor”.

VKM-ja e vitit 2009-të e përcakton perimetrin mbrojtës disa metra larg mureve të kalasë, ndërsa ndërtimi është brenda tyre.

Ndërsa neni 38-të e pëmbys të gjithë manovrën për hapjen e rrugës për ndërtimet në një monument kulture, kur shkruan se:

“Çdo vendim i marrë nga këshillat e rregullimit të territoreve për ndërhyrje ose ndërtim në zonat e shpallura monument kulture ose në zonën e mbrojtur pranë një monumenti kulture, pavarësisht nga pronësia, është i pavlefshëm”.

Më herët Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, nëpërmjet kërkesave për informacion bënë me dije për “Amfora.al” se po zbatojnë ndryshimet në rregulloren për administrimin e Kalasë së Tiranës, ndërkohë që në terren situata paraqitet në shkelje me atë se çfarë këto ndryshime parashikojnë.

Prej vitesh në Kalanë e Tiranës janë zbatuar projekte që kanë sjellë ndërtime dhe jo restaurime, duke marrë parasysh faktin se në vitin 2009-të, Këshilli Kombëtar i Restaurimeve miratoi 3 projekte restaurimi, por subjekti privat “IDA sh.p.k”, nga restaurimi kaloi në ndërtim.