Home Foto Sanktuari i Artemisit të Dyrrachiumit, mbrojtës i femrave të antikitetit
Sanktuari i Artemisit të Dyrrachiumit, mbrojtës i femrave të antikitetit
0

Sanktuari i Artemisit të Dyrrachiumit, mbrojtës i femrave të antikitetit

0
0

Fotografia në krye paraqet 4 pulla postare shqiptare, me 4 sanktuaret e Artemisit, zbuluar në “Kodrën e Dautes”, Durrës.

E para nga e djathta, është sanktuari (figurina) i Artemisit në bronz, e dyta është portreti i Artemisit në gur, e treta është protomi që dominon sanktuarin e Artemisit, që njihet edhe si i Afërditës, nga zbulimi që arkeologu Vangjel Toçi bëri përpara viteve’ 90, por që nga ekspedita shqiptaro-franceze, u përcaktua si sanktuari i Artemisit, ndërsa e para nga e majta është terrakota e Artemisit si gjuetare.

Një nga zbulimet më të rëndësishme të arkeologjisë shqiptare përgjatë viteve 1980-2013, është gjetja e rreth 5 tonëve punime terrakote, në “Kodrën e Dautes”, Durrës, në lartësinë 72 metër mbi nivelin e detit, ku u zbuluan edhe punime në bronz. Nga të gjithë sanktuarët e zbuluar, dominonte ai i Artemisit, ndërsa vetëm 4 prej tyre ishin të Afërditës.

Perëndia Artemis, që njihej nga grekët edhe si Artemida, e që në mitologjinë Romake asaj i përputhej hyjnesha Diana, përtej atributeve të saj, si gjuetare dhe mbrojtëse e rrugëkalimeve, një atribut kryesor që ajo kishte, ishte mbrojtja dhe survejimi i jetës së femrës, që nga vajzëria deri në të gjitha fazat që ajo kalonte, në procesin e martesës, të qenurit nënë dhe përtej kësaj.

Në një formë, Artemisi, e bija e Zeusit, është mbrojtëse e vazhdimësisë së jetës së Dyrrachiumit (Durrësit të sotëm), duke pasur nën përkujdesjen e saj femrën, që është ajo e cila e shton dhe kujdeset për popullsinë. Përendia Artemis vëzhgonte në këtë mënyrë të gjithë qytetin, duke pasur nën përkujdesjen e saj femrën.

Kështu, femrat e Dyrrachiumit linin imazhin e tyre tek perëndia Artemis, duke u pajisur me një sanktuar të sajin dhe duke ja ngarkuar asaj mbrojtjen e tyre. Si rrjedhojë edhe sanktuarët e zbuluar janë në shumicën e tyre pothuajse identike, pasi ishin përhapur gjerësisht tek femrat e qytetit, informacion ky që i referohet botimit në gjuhën angleze të “Artemis in Dyrrhachion – Durrës guides 1”, punuar nga misioni arkeologjik franko-shqiptar, i krijuar në vitin 2003 në Durrës, si një bashkëpunim trepalësh midis Institutit të Arkeologjisë në Tiranë, Shkollës Franceze në Athinë dhe Qendrës Kërkimore Halma-Ipel (CNSR/ University of Lille – Nord de – France).

Ky mision vijon ende të përpunojë materialin arkeologjik të zbuluar në “Kodrën e Dautes”, ku çdo vit pala shqiptare e cila përfaqësohet nga arkeologu Fatos Tartari, në bashkëpunim me arkeologët francezë vijojnë të analizojnë dhe studiojnë objektet e zbuluara, në ambientet e Muzeut Arkeologjik Durrës. Ky mision arkeologjik u orientua nga evidencat që “babai i arkeologjisë së Durrësit”, Vangjel Toçi, shënoi gjatë gërmimit të tij arkeologjik në “Kodrën e Dautes”, në vitet 1970-1971.

Në vitin 2005 projekti u nderua me Çmimin e Parë Clio (Clio First Prize) për arkeologjinë kërkuese franceze jashtë vendit, e cila bëri të mundur edhe publikimin e “Artemis in Dyrrhachion – Durrës guides 1”.

 

 

Geri Emiri Është themelues dhe web-editor i blogut “Amfora.al”, të profilizuar në fushën e raportimit mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri. Ai është diplomuar për Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës. Ka punuar në disa media online dhe televizion. Aktualisht punon edhe si gazetar i lirë.

Jepni komentin tuaj

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *