Zbulime të reja mbi periudhën antike në Durrës, flet bashkëdrejtuesi i gërmimeve

Qershorin e vitit 2016-të në qytetin e Durrësit dolën në dritë fakte të reja mbi lashtësinë e dyshemeve dhe mureve të qytetit.

Në kuadër të një projekti për krijimin e një harte arkeologjiek GIS (Sistem Informativ Gjeografik), mbi monumentet e zbuluara dhe mbulura në Durrës, arekologë shqiptarë dhe francezë kanë zbuluar shtresa të reja të qytetit antik, nën ndërtimet romake.

Projekti është një bashkëpunim midis Institutit Arekologjik Shqiptar, Universitetit “Lion 2”, në Francë, ku janë palë edhe Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës, si dhe Bashkia Durrës. Financimi i projektit bëhet nga Ministria e Punëve të Jashtme Franceze.

Për të mësuar më shumë rreth projektit dhe asaj çfarë është zbuluar, Amfora.al intervistoi gjatë ditëve që po kryheshin gërmimet, bashkëdrejtuesin e projektit, arkeologun, Dr. as. Eduard Shehi.

Eduard Shehi

Cili është synimi i projektit “Topografia e Epidamn-Dyrrachium”?   

Synimi është njohja e qytetit antik, zhvillimi urban-topografik i tij. Për të arritur këtë janë menduar disa operacione, siç është; krijimi i hartës arkeologjike të monumenteve antike, që do të thotë me aq sa njihen, të hidhen në një hartë të pozicionuar topografikisht, për tu bërë e qartë ndaj studiuesve dhe jostudiuesve.

Ky është një operacion që punohet prej 3-4 vitesh dhe është kthyer funksional, por mbetet për tu përfunduar në të gjitha detajet e tij dhe për t’iu paraqitur publikut dhe institucioneve firmosëse.

Tjetër operacion është studimi gjeo-fizik, që do të thotë studimi elektromagnetik i nëntokës, pa e prekur nëntokën, për të kuptuar strukturat e mureve dhe thellësitë e tyre.

Për këtë një fazë e parë është kryer vjet, ku në disa hapësira publike të qytetit u bënë studime elektromagnetike, duke u zbuluar mure në thellësi të ndryshme, nga 1, deri në 1 metër e gjysmë.

Si p.sh., në sheshin “Liria” përpara bashkisë, tek lulishtja e Mauzoleumit të Dëshmorëve, si dhe tek pjesa rrethore e forumit bizantin.

Operacioni i tretë është studimi gjeologjik, apo morfologjik, që do të thoptë kuptimi i evolucionit të territorit të qytetit të Durrësit, në raport me detin dhe kënetën e lagunën.

Për të kuptuar si është krijuar laguna, si ka evoluar kufiri ujor në raport me territorin e qytetit. Për këtë jemi duke punuar në mbledhjen e arkivave, dhe synojmë të bëjmë edhe shpime, karrotazhe, për vlerësimin gjeologjik të nëntokës.

Operacioni i fundit janë gërmimet, që këtë vit janë ndërmarrë në tre pika. Termat poshtë Pallatit të Kulturës, muret e kalasë së qytetit dhe lulishtja e Mauzoleumit të Dëshmorëve.

Nga gërmimet e kryera deri më tani në këto tre pika, çfarë është zbuluar?

Tek termat poshtë Pallatit të Kulturës kemi zbuluar faza të ndryshme kronologjike dhe përdorimi para ndërtimit të termave, duke shkuar deri në shekullin III para Krishtit, ku është zbuluar një dysheme, parket dhe që tregon se ka qenë lagje e banuar me banesa private. Pjesë të një rruge të panjohur, mbi të cilën është ndërtuar më pas në periudhën romake.

Tek muri i kalasë vazhdojmë të kërkojmë thellësinë tërësore të themelit të murit dhe të përpiqemi të bëjmë datimin.

Tek lulishtja e Mauzoleumit të Dëshmorëve kemi rënë në strukturat e  një terme të periudhës romake.

Nga gërmimet që keni kryer në kuadër të projektit prej disa vitesh, keni arritur të bëni një përcaktim  se deri ku shtrihej topografia e qytetit?

Topografia është çështje komplekse dhe nuk mund të zgjidhet me një gërmim apo me një pikë.

Bëhet fjalë për periudha shumë të gjata kohore, për ndërhyrje të ndryshme në menaxhimin urban të qytetit në antikitet.

Pra ne thjesht shtojmë njohjet, por nuk mund të themi që do të ketë njohje tërësore të antikitetit në Durrës. Bëhet fjalë për disa shekuj, pra praktikisht do të duhet një kohë shumë e gjatë për të kuptuar një pamje tërësore të saj. Ne po përpiqemi të përmirësojmë njohuritë mbi qytetin.

Po në dy pika të kalasë së Durrësit, mbi të cilat është ndërtuar, konkretisht tek pallati përbri kishës ortodokse dhe tek rruga “Hysen Myshketa”, do të bëhen gërmime?

Gjithçka lidhet me qëllimet dhe mundësitë e projektit. Pra të kesh një projekt nuk do të thotë të gërmosh dhe të hetosh gjithçka.

Aq sa do të kemi mundësinë ekonomike, kohore dhe administrative.

Është më shumë problem mundësia ekonomike?

Të gjitha së bashku, edhe mundësitë e terrenit.

Çfarë bashkëpunimi ka pasur deri më tani nga institucionet shqiptare?

Palë në këtë projekt është Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës dhe Bashkia Durrës, ku për aq sa i kemi kërkuar, kemi gjetur bashkëpunim shumë të mirë.

Me çfarë është zbuluar deri më tani, mund të bëhet një përllogaritje se cilit vit i përkasin gjetjet?

Është ende herët, pasi është i nevojshëm një përpunim i materialit pas-gërmim, për të qenë më të qartë në datime. Njohuritë gjatë gërmimit janë paraprake dhe jo finale.

Kur pritet të përfundojë projekti?

Projekti për këtë sezon, gërmimet përfundojnë shumë shpejt. Do të vazhdojmë me çështjet topografike dhe pozicionimin në hartë, si dhe çështje të tjera të ndryshme. Pra nuk është se ka një datë dhe një mbyllje të saktë, janë operacione të ndryshme, në periudha të ndryshme.

SHËNIM mbi fotot:

Foto majtas, varr i zbuluar në murin e kalasë së Durrësit, 30 cm nën sipërfaqen e lulishtes.

Sipas arkeologes, Dr. Brikena Shkodra Rrugia, ky varr mund t’i përkasë periudhës së mesjetës së hershme.

Foto djathtas, gërmimet që po kryhen për gjetjen e themelit të murit të kalasë.