Banesat “Monument kulture”: Ekspertët dhe komuniteti mblidhen për sfidat dhe situatën aktuale

Pasditen e së mërkurës ekspertë, banorë dhe gazetarë u mblodhën në një bashkëbisedim të zhvilluar “online”, për të folur mbi banesat që gëzojnë statusin “Monument Kulture”.

13 arkitektë, pedagogë, inxhinier ndërtimi, specialistë të trashëgimisë kulturore, përfaqësues të institucioneve të kulturës, gazetar, banorë dhe pronarë të banesave me status “monument kulture”, referuan dhe diskutuan për mundësitë dhe sfidat që këto objekte të trashëgimisë kulturore hasin sot.

Video e takimit online në platformën Zoom.

“Duhet të krijojmë një ‘gjueti vilash'”, sugjeroi arkitektja dhe aktivistja Doiana Musai, referuar situatës së krijuar në kryeqytet vitet e fundit, ku një pjesë e vilave të ndërtuara në fillim të shekullit të kaluar po shemben për të ndërtuar godina shumëkatëshe.

“Ne kemi mungesë të edukimit për trashëgiminë dhe atë që nuk e njohim, ne nuk arrimë dot ta duam. Pra sa më shumë ta njohim dhe ta dokumentojmë, aq më shumë rritet edhe dashuria për këto monumente kaq të rëndësishme të memories sonë kolektive”, përfundoi arkitektja Musai.

Takimi i organizuar nga Media Amfora kishte në fokus një prej sfidave të trashëgimisë kulturore materiale në Shqipëri, trajtimin e banesave që gëzojnë statusin “monument kulture”. Ekspertët trajtuan proceset e restaurimit dhe nevojave për realizimin në mënyrë sa më profesionale të këtyre ndërhyrjeve.

“Për të realizuar procesin e analizës, duhet realizuar procesi i monitorimit dhe i nxjerrjes së modelit në terren. Për të bërë procesin e mirëfilltë të rilevimit kërkohen aparatura”, parashtroi Nikolla Vesho, lektor në lëndën “Restaurimi”, në Universitetin Polis.

“Në Shqipëri nuk ka lazer-skaner. Di që është blerë një dhe nuk është vënë në përdorim. Ne i marrim me qira në Kosovë dhe j’ua kthejmë përsëri”, evidentoi Vesho si nevoja teknike për institucionet e kulturës dhe studiot private.

Pas takimit që zgjati për rreth 4 orë, me një pjesëmarrje të gjerë prej rreth 40 personash, një pjesë e sugjerimeve do të përfshihen në një artikull analitik që Media Amfora po realizon për banesat me status “monument kulture”.

Të pranishmëve ju prezantua pyetësori me temë, “Sa të rrezikuara janë banesat “monument kulture” në Shqipëri?”, që syon të mbledhi opinione dhe sugjerime nga ekspertët e trashëgimisë kulturore, banorët e këtyre banesave dhe vizitorëve.

Sabrina Kuçi, urbaniste dhe specialiste e Sektorit të Arkitekturës, pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Shkodër, evidentoi se shpesh herë statusi juridik i pronës dhe kuadri ligjor për banesat “monument kulture” krijon vështirësi për proceset e restuarimit dhe bashkëfinancimet, për shkak të numrit të shumtë të pronarëve trashëgimtarë.

“Kemi një sfidë për rijetësimin e monumenteve, që mund të arrihet përmes aktiviteteve, ekspozitave dhe sidmos krijimit të aksesit të vizitorëve”, evidentoi Kuçi.

Foto: “Screenshot” nga takimi online në platformën Zoom.

Takimi në trajtë bashkëbisedimi synonte reflektimin dhe nxitjen e veprimeve konkrete për trashëgiminë kulturore materiale, duke mos pasur karakter shkencor. 

Eltjana Shkreli, drejtuese e organizatës jo qeveritare “GO2 Albania”, foli për nevojën e bashkëpunimit me projekte që mundësohen me fonde te huaja, por ajo theksoi se shpesh herë niveli i trajnimit dhe përgatitjes së administratës publike krijon barriera për realizimin e këtyre nismave.

“Sa herë që vjen një fuqi politike e re, të gjithë ndërrohen nga fillimi deri në fund”, komentoi ajo.

Arkitekti dhe aktivisti Kreshnik Merxhani foli për nevojën e garantimit të trashëgimisë kulturore nga institucionet përgjegjëse. 

“Duke u dobësuar Instituti i Trashëgimisë Kulturore, duke u shkëputur nga asetet e trashëgimisë, duke mos përfituar nga biletat, duke mos rritur buxhetet, nuk përfitojnë as banorët”, komentoi Merxhani.

Gjatë takimit pati referime nga banorë që raportuan për dëmtimin e trashëgimisë kulturore dhe banesave të figurave të shquara në zonat e tyre, siç ishte rasti i banesës së Pjetër Budit, në fshatin Guri i Bardhë, në Klos.

Roli i medias u trajtua nga gazetarët që raportojnë për çështjet e trashëgimisë kulturore. “Informacioni më pak i gjetshëm ka qenë ai zyrtar. Informacione që duhet të përditësohen, si në faqen e Ministrisë së Kulturës, por ka shumë pak informacione”, shpjegoi Entenela Ndrevataj, gazetare në Median Citizens Channel. 

Ajo prezantoi edhe platformën mediatike “Citizens Urban Stories“, që synon të dokumentojë në mënyrë profesionale dhe inovative, ndryshimet në siluetat arkitekturore të minimalisht 40 monumenteve të kulturës në Tiranë. 

“Planet e Detajuara Vendore janë duke u përdorur nga një interes i ngushtë transformues”, analizoi Artan Kacani, planifikues territori dhe aktivist, duke shtuar se bërja e pakteve sjell dëmtimin e banesave “monument kulture”, në kurriz të zhvillimit të mirë planifikuar të qyteteve.

Foto: “Screenshot” nga takimi online në platformën Zoom.

“Çfarë ne mendojmë realisht dhe nuk është dëgjuar, në kontekstin e duhur, në audiencën e duhur, që të perceptohet dhe të tretet realisht mendimi i profesionistëve”, u shpreh Saimir Kristo, arkitekt dhe zëvendës dekan dhe lektor në Universitetin Marin Barleti.

Ai vuri theksin se profesionistët duhet të angazhohen vullnetarisht në diskutimin dhe ofrimin e zgjidhjeve publike dhe nga ana tjetër duhet që institucionet publike të krijojnë më shumë hapësira për dëgjimin e profesionistëve.

Të pranishmit në takim sollën edhe raste të angazhimit të pronarëve të banesave me “status monument kulture” dhe atyre që nuk e gëzojnë mbrojtjen, për rijetësimin e tyre dhe transformimin, duke i ruajtur strukturën dhe fasadën origjinale.

“Unë bëra bashkë profesionin dhe dëshirën për të rijetësuar rrugicën ku ndodhet banesa, që është e ndërtuar në vitin 1928”, shpjegoi për nismën e saj, Dorina Xheraj-Subashi, me profesion muzeologe. 

Ajo e transformoi vilën e vjetër të familjes në Durrës në një muze të quajtur, “MuZEH Lab” dhe që synon të nxisi mendimin kreativ dhe kritik, me fokus tek të rinjtë.

Erblin Vukaj, me profesion gazetar, solli shembullin se si banesa e tipit kullë që i përket familjes dhe gjendet në zonën e Kukësit, pavarësisht se nuk ka status “monument kulture” ka ngjallur interes tek ai si i ri dhe evidentoi nevojën që këto banesa të ruhen dhe të kthehen në të vizitueshme.

Një i ri tjetër, Mateo Begeja, me profesion inxhinier ndërtimi, shpjegoi për një nisëm të fokusuar tek një pjesë e lagjes “Selvia” në Tiranë dhe që synon të rikthej në identitet banesat dhe lagjen e vjetër tiranase.

“Dikur shtëpiat tiranase nuk kanë pasur mur, banorët kanë pasur një komunikim të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin, kanë pasur rrugica të rrjetëzuara, nga qendra shpërndaheshin si rrënjët e një peme”, komentoi Begeja, pronar i një vile të fillim shekullit të kaluar.

Propozimi i tij dhe i një grupi pune është që ta ruajë identitiein e lagjes dhe ta rikthej në gjendjen në të cilën ka qenë dekada më parë, duke e përshtatur me nevojat bashkëkohore. 

Në përmbyllje të takimit, Spiro Paço, lektor në Unviersitetin Aleksandër Moisiu Durrës, foli për nevojën e trajnimit të punonjësve të administratës publike për përfshirjen në projekte rajonale për zbatimin e nismave të bashkëfinancuara për banesat me status “monument kulture”.

Media Amfora do të përmbledhë sugjerimet e ekspertëve në një dokument që përmban një qëndrim të përbashkët publik, që do të publikohet në faqen Amfora.al dhe më pas do t’i përcillet zyrtarisht Ministrisë së Kulturës, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe autoriteteve të tjera publike, me qëllim adresimin e sugjerimeve dhe konkluzioneve të nxjerra gjatë takimit.

_________

Media Amfora fton herë pas here të apasionuarit dhe të gjithë qytetarët që të raportojnë mbi raste konkrete që lidhen me trashëgiminë kulturore dhe arkeologjinë, duke dhënë informacione apo plotësuar pyetësorët që publikohen në faqe. Klikoni KËTU dhe ndiqni lajmet tona rreth raportimeve tuaja apo plotësoni pyetësorët që ne publikojmë për “Raportimin e Qytetarëve të Angazhuar”.

Foto në krye: “Screenshot” nga takimi online në platformën Zoom.